Lidhje

Nisin hetimet ndaj kreut të federatës spanjolle të futbollit për puthjen në buzë të futbollistes


Jennifer Hermoso y Luis Rubiales se abrazan durante la entrega de premios del Mundial de Fútbol Femenino
Jennifer Hermoso y Luis Rubiales se abrazan durante la entrega de premios del Mundial de Fútbol Femenino

Prokurori i Gjykatës së Lartë të Spanjës hapi të hënën një hetim paraprak ndaj kreut të federatës së futbollit, Luis Rubiales për të përcaktuar nëse veprimet e tij do të konsiderohen një akt abuzimi seksual, pasi përqafoi dhe puthi në buzë futbollisten Jenni Hermoso pas fitores së Spanjës në finalen e Kupës së Botës për femra në Australi.

Një zëdhënës i zyrës së prokurorit tha se gjykata kishte marrë disa ankesa, por do të niste një hetim të plotë të rastit vetëm nëse një e gjë e tillë do të kërkohej nga futbollistja Hermoso. Ajo ka thënë se puthja nuk ishte bërë me pëlqimin e saj.

Kjo lëvizje rriti trysnin mbi zotin Rubiales, i cili u pezullua nga FIFA të shtunën mes kritikave në rritje për incidentin në ceremoninë e dhënies së medaljeve pas fitores së Spanjës në Sidni më 20 gusht.

Federata spanjolle e Futbollit ka thirrur federatat rajonale në një takim urgjent të hënën për të vlerësuar situatën, e cila është shndërruar në një debat kombëtar mbi të drejtat e grave, sjelljen agresive të meshkujve kundrejt femrave dhe abuzimin seksual.

Rubiales, 46 vjeç, ka refuzuar të japë dorëheqjen, duke thënë se puthja, e cila ndodhi në transmetimin e drejtpërdrejtë ngjarjes të ndjekur në nivel global, ishte bërë me konsensus. Futbollistja Hermoso, bashkëlojtaret e saj të skuadrës dhe qeveria spanjolle thonë se puthja në buzë ishte e padëshiruar dhe poshtëruese.

Ministrja në detyrë e Punës Yolanda Diaz tha të hënën se sfida e zotit Rubiales dhe mbështetja nga disa anëtarë të federatës treguan se kjo sjellje agresive është sistematike në shoqërinë spanjolle.

“Ajo që përjetoi futbollistja Jenni Hermoso nuk duhet të kishte ndodhur kurrë”, tha zonja Diaz në një deklaratë përpara një takimi me sindikatat e futbollisteve.

Por në anën tjetër, nëna e zotit Rubiales u mbyll brenda një kishe dhe filloi një grevë urie për të protestuar kundër mënyrës se si po trajtohet djali i saj.

Të 23 lojtarët në skuadrën së Spanjës që fitoi Kupën e Botës, duke përfshirë vetë futbollisten Jenni Hermoso, si dhe dhjetëra anëtarë të tjerë të skuadrës, thanë të premten se nuk do të luanin ndeshje të tjera ndërkombëtare për aq kohë sa zoti Rubiales mbetet në krye të federatës. Ndeshja e tyre e radhës është në Suedi, në kuadër të Ligës së Kombeve më 22 shtator.

XS
SM
MD
LG