Ditari-Escobar: Ndaj atyre që refuzojnë partneritetin do ketë pasoja
I dërguari amerikan për Ballkanin perëndimor Gabriel Escobar duke folur sot në një takim me gazetarët mbi tensionet Kosovë-Serbi tha se asnjë vend ose udhëheqës nuk mund të përcaktojë kursin e stabilitetit rajonal dhe se ndaj atyre që refuzojnë partneritetin do të ketë pasoja. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot në Prespë të Maqedonisë së Veriut se nuk e ka vendosur nëse do të marrë pjesë ne takimin e thirrur nga shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, javën e ardhshme në Bruksel. Në Shqipëri kryetari i Bashkisë së Kukësit Safet Gjici, dha sot dorëheqjen nga detyra pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje në të cilën ai shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e tij. Menjëherë më pas dhe Qeveria njoftoi se kishte vendosur shkarkimin e tij nga detyra, ndërsa SPAK kishte rregjistruar ndërkohë një procedim penal ndaj Gjicit.