Parlamenti shqiptar diskutoi sot për shumë orë mbi aktin normativ të qeverisë që kërkon shkurtim të konsiderueshëm të të ardhurave të pararealizuara me disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për buxhetin e vitit 2013. Përfaqësuesit e qeverisë së re pohuan se, sic dëshmojnë mosrealizimet e buxhetit, ekonomia dhe financat publike janë në gjendje të vështirë. Ata kërkuan që akti normativ të miratojë shkurtimet për shkak se qeveria Berisha projektoi parashikime tejet optimiste deri në 4 për qind rritje ekonomike, ndërsa sot realiteti flet se rritja ekonomike nuk mund të jetë më shumë se 1,2 për qind.
Your browser doesn’t support HTML5
Debati mbi buxhetin
Ish-ministri i financave, Ridvan Bode, tha se socialistët po përpiqen që të paraqesin një ekonomi të dobët dhe problematike, sipas parimit të tyre për bërë zero rezultatet pozitive të këtij viti, të cilat janë njohur nga BE, FMN dhe Banka Botërore.
Vëzhgues të pavarur të ekonomisë mendojnë se qeveria dhe opozita po thonë secila dy gjysma të të vërtetës. Studiuesi Gjergj Buxhuku thotë se potencalet e ekonomisë janë në ditët më të mira, duke patur parasysh përfshirjen në projektin TAP dhe projekte të tjera investimesh si hidrocentralet etj.
"Por në financat publike ka një boshllëk për shkak të krizës globale dhe të vitit zgjedhor. Rritja e borxhit është zgjidhja e duhur dhe e mirë, sepse Shqipëria i ka aftësitë paguese" - tha zoti Buxhuku, i Konfindustria-s.
Sipas ekspertëve mospërputhja në dy pamjet që sjell debati në parlament vjen nga fakti që ndërsa qeveria e re bën një planifikim me rezerva të financave për vitin tjetër, qeveria e kaluar ka bërë një parashikim tejet entuziast për ecurinë e ekonomisë. Pas një debati të gjatë me shumë diskutime, shumica i ka votat të miratojë ndryshimet në buxhet aktual, ndërkohë që zyrtarët pohuan se shumë shpejt parlamentit do t'i dorëzohet buxheti i ri për vitin tjetër.