Numërimi i votave po ecën ngadalë në Shqipëri, ndërsa forcat politike, që garuan të dielën për parlamentin e ri u bënë thirrje qytetarëve që të kenë durim deri në zbardhjen e rezultatit për parlamentin e ri, duke pretenduar njëlloj të dyja fitoren. Ndër shkaqet kryesore të vonesave mbi katër orë të fillimit të numërimit njoftohet se është ardhja me vonesë e grupeve të numërimit, dhe akreditimi i tyre nga KQZ. Kutitë kanë ardhur shumë shpejt nga qendrat e votimit në komisionet zonale dhe nga ora 20, numëruesit u bënë gati pas 4 ose 5 orësh vonesa boshe madje deri nga ora 3 e mëngjesit. Një pjesë e antarëve numërues janë ndryshuar dhe është dashur një kohë që numëruesit e rinj të trajnohen më mirë dhe të marrin certifikatat e përfaqësimit.
Sipas KQZ, pjesëmarrja e votuesve në shkallë kombëtare është rreth 53 për qind. Pjesëmarrjen më të madhe e kanë regjistruar Dibra 70 për qind, Berati e Kukësi 58 për qind, Elbasani dhe Korça 53 për qind, Tirana 55 për qind, apo Gjirokastra e Lezha 50 për qind, dhe më pak Durrësi e Fieri 48 për qind dhe Shkodra e Vlora rreth 44 për qind. KQZ po përpunon pa ndalim të dhënat e pjesshme që shkojnë aty nga secila zonë, ku vazhdon numërimi.
Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste pretenduan fitoren e këtyre zgjedhjeve dhe bënë thirrje për zbatimin e ligjit në dokumentimin e rezultateve. Gjatë gjithë ditës ata u bënë thirrje të vazhdueshme qytetarëve për pjesëmarrje sa më të madhe në votime. Kryeministri Berisha tha se “Partia Demokratike do të respektojë pa asnjë hezitim verdiktin e sovranit mbi rezultatin në këto zgjedhje”. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se e majta ka fituar zgjedhjet parlamentare. “Bazuar mbi të dhënat tona, Rilindja ka fituar mbi rrëninim. Aleanca për Shqipërinë Europiane realizoi objektivin e shpallur të mandateve” - tha ai.
Ndërsa kryesuesja e listës së deputetëve së PD-së për Tiranën, Majlinda Bregu, deklaroi se “duke rendur për të shpallur fitoren, Edi Rama konsolidoi disfatën e tij”. Sipas saj, të gjitha sondazhet tregojnë se qytetarët kanë votuar bindshëm për Aleancën e djathtë. “Zoti Rama ka pritur që të mos humbiste shumë thellë, por humbje spektakolare si këtë rradhë, nuk ka përjetuar asnjëherë” - tha zonja Bregu.
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha se opozita ka fituar, madje thellë. “Procesi mori shumë njolla, por Berisha nuk mund të imponojë vullnetin e tij. Natë e ditë do të numërojmë votat me qetësi dhe maturi, deri në votën e fundit, në kutitë që mbushi populli për të ndryshuar Shqipërinë” - tha ai.