Greva e urisë që po zhvillojnë minatorët e kromit në Bulqizë, hyri sot në ditën e 23-të.
Organizatorët bënë të ditur se sot kanë kryer një ndërrim pothuajse të plotë të grevistëve.
Sindikata tha se 10 nga 14 grevistët e urisë u zëvendesuan sot nga 10 punëtorë të tjerë.
Ndërsa 4 prej tyrë nuk pranuan që të ndërroheshin, dhe vazhduan grevën.
Sipas organizatorëve, ky ndryshim u bë për të mbrojtur jetën e grevistëve dhe nga ana tjetër për të siguruar vazhdimin e grevës.
Kompania ACR ka njoftuar se është e gatshme të plotesojë kërkesat e punëtorëve dhe ka kërkuar që ata të kthehen në punë.
Punëtorët dhe drejtuesit zhvilluan edhe një takim në Tiranë.
Por sindikata e tyre thotë se greva do të vazhdojë derisa kompania të nënshkruajë një marrëveshje dhe të nisë përmbushjen e kërkesave.
Institucionet shtetërore nuk kanë ndërhyrë në këtë konflikt mes punëtorëve dhe kompanisë ACR.
Ato vetëm gjobitën kompaninë për çeshtje teknike dhe kërkuan pezullimin e punës në minierë dhe evakuimin e njerëzve prej galerive të rrezikuara.