Francë, fushatë për mbjedhje fondesh për policin e akuzuar për vrasjen e adoleshentit Nahel M. 

French riot police officers patrol during a demonstration in Caen, north-western France on June 30, 2023, after the shooting of a teenage driver by French police in a Paris suburb on June 27.

Një fushatë për të mbledhur fonde për familjen e policit që qëlloi për vdekje adoleshentin Nahel M. në Francë arriti të siguronte 1.4 milionë euro të martën, duke tejkaluar donacionet për familjen e viktimës së tij dhe duke shkaktuar zemërim tek një pjesë e shoqërisë franceze.

Përpjekja për mbledhjen e fondeve u nis në platformën amerikane “GoFundMe” nga personaliteti francez i medias së ekstremit të djathtë Jean Messiha dhe siguroi më shumë se 72 mijë donacione private.

Politikanët e majtë e kanë cilësuar mbledhjen e fondeve për policin si të turpshme, ndërsa e djathta ekstreme doli në mbrojtje të policisë, që thotë se është një objektiv i përditshëm i dhunës në zonat periferike të qyteteve franceze, të banuara me njerëz me të ardhura të ulëta. Ky është një debat që pasqyron përçarjet e thella në shoqërinë franceze.

“Ky oficer policie është viktimë e një gjuetie shtrigash kombëtare dhe kjo është një turp”, shkroi Messiha në Twitter menjëherë pas nisjes së fushatës. "Përpjekja për mbledhjen e fondeve është simboli i një France që i thotë jo kësaj tradhëtie".

Punonjësi i policisë është akuzuar për vrasje me dashje dhe atij i është caktuar masa e ndalimit.

Kreu i Partisë Socialiste Olivier Faure i kërkoi platformës “GoFundMe” të ndërpriste fushatën e mbledhjes së fondeve për policin francez. "Ju jeni duke zvarritur një përçarje tashmë të mërzitshme, duke mbështetur një oficer policie nën hetim për vrasje. Mbylleni!", shkruajti ai në rrjetet sociale.

Fushata për mbledhjen e fondeve për familjen e adoleshentit të vrarë, Nahel M. ka siguruar 352 mijë euro.

Ministri i Drejtësisë, Eric Dupond-Moretti i tha radios “France Inter” se të gjithë duhet të jenë në gjendje të dhurojnë për fushatat e mbledhjes së fondeve, por shtoi se: "Unë nuk mendoj se fushata e mbledhjes së fondeve, e organizuar nga zoti Messiha, ndihmon në qetësimin e situatës".

ZEMËRIMI NDAJ POLICISË

Vrasja nga policia e 17-vjeçarit me origjinë algjeriano-marokene, Nahel M. më 27 qershor shkaktoi një valë trazirash mbarëkombëtare që tronditën Francën.

Policia bëri 72 arrestime gjatë natës, tha ministria e brendshme.

Vrasja shtoi pakënaqësinë tashmë të thellë ndaj agjencive të zbatimit të ligjit në lagjet e varfëra në periferi të qyteteve kryesore franceze, me shumicë myslimane me origjinë nga Afrika veriore, të cilët kanë akuzuar prej kohësh policinë për profilizim racor dhe taktika të dhunshme.

Protestuesit kanë djegur më shumë se 5000 makina, kanë plaçkitur qendrat tregtare dhe kanë vënë në shënjestër bashkitë, shkollat dhe pronat shtetërore të konsideruara si simbole të shtetit.

Trazirat, megjithatë, nuk kanë nxitur llojin e reflektimit nga qeveria për problemet racore ashtu siç ka ndodhur pas incidenteve të ngjashme në vende të tjera perëndimore, si protestat e lëvizjes “Black Lives Matter” në Shtetet e Bashkuara dhe trazirat racore në Britani.

Në vend të kësaj, qeveria franceze vë në pah njerëzit e paprivilegjuar në lagjet urbane me të ardhura të ulëta dhe krimet e të miturve, një reflektim i besimit të shtetit se qytetarët janë të bashkuar nën një identitet të vetëm francez, pavarësisht nga raca apo përkatësia etnike.

Presidenti Emmanuel Macron të martën u takua me më shumë se 200 kryebashkiakë në Pallatin Elysee për të dëgjuar pikëpamjet e tyre për trazirat e fundit në vend.