Franca dislokon 45 mijë policë pas trazirave rreth vrasjes së një 17 vjeçari

Fourth night of riots after teenager shot dead by police in Paris suburb

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin urdhëroi të premten dislokimin e 45 mijë policëve në rrugë pas tre netëve trazirash që kur një oficer qëlloi për vdekje një adoleshent në një lagje në periferi të Parisit.

Dhuna, e cila u shoqërua me djegie ndërtesash, makinash dhe plaçkitje dyqanesh, e ka zhytur presidentin Emmanuel Macron në krizën më të rëndë të presidencës së tij që nga protestat e vitit 2018 të grupit “Jelekët e Verdhë”.

Trazirat janë përhapur në mbarë vendin, në Marsejë, Lion, Tuluzë, Strasburg, Lille dhe Paris, ku Nahel M., një 17-vjeçar me origjinë algjeriane dhe marokene, u qëllua të martën në lagjen Nanter.

Vdekja e tij, e cila u filmua, ka ringjallur zëmërimin e komuniteteve urbane të varfëra ndaj policisë për përdorim të dhunës së tepruar dhe racizëm sistematik.

Lexoni edhe këtë Protestat, Franca ndërpret shërbimin e transportit publik

Në qendër të qytetit jugor të Marsejës, qyteti i dytë më i madh i Francës, protestuesit plaçkitën një dyqan armësh të premten mbrëma dhe vodhën disa pushkë gjuetie, por jo municion, tha policia e qytetit. Një person u arrestua me një pushkë, që me shumë gjasë ishte vjedhur nga dyqani i plaçkitur, tha policia. Dyqani tani po ruhet nga policia.

Sipas autoriteteve, më shumë se 200 policë mbetën të plagosur, ndërsa 875 persona u arrestuan gjatë të enjten në mbrëmje, ndërsa protestuesit e organizuar në të gjitha qytetet e vendit, u përplasën me forcat policore.

Presidenti francez Emanuel Macron, u largua të premten nga takimi i nivelit te lartë të Bashkimit Europian në Bruksel dhe u kthye në Paris për të marrë pjesë në mbledhjen e dytë të qeverisë për menaxhimin e krizës.