Franca u kërkoi të gjitha autoriteteve lokale të ndëpresin shërbimin e transportit publik të premten në një përpjekje të dëshpëruar për të rivendosur rendin pasi protestuesit dogjën godina dhe automjete gjatë protestave që janë ndezur pasi një polic qëlloi për vdekje një adoleshent.
Akte të dhunshme u shënuan gjatë protestave në Marsejë, Lion, Pau, Tuluzë, Strasburg dhe Lille si dhe në Paris, ku 17 vjeçari Nahel M, i cili ishte me origjinë marokene dhe algjeriane, u qëllua për vdekje të marten, në Nanterre një zonë në periferi të kryeqytetit.
Vdekja e tij, e cila është e regjistruar në video, ka rinxjerrë në pah ankesat për përdorimin e dhunës së tepruar dhe për racizëm sistematik nga punonjësit e policisë.
“Orët në vazhdim do të jenë vendimtare dhe e di se mund të mbështetem tek përpjekjet tuaja”, u shkroi ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, punonjësve të policisë dhe forcave zjarrëfikese që po përpiqen të qetësojnë trazirat.
Zjarrëfikësit përpiqen të shuajnë një automjet në flakë në Floriac, në periferit të qytetit të Bordosë. Francë, 29 qershor, 2023.
Sipas autoriteteve, më shumë se 200 policë mbetën të plagosur, ndërsa 875 persona u arrestuan gjatë të enjten në mbrëmje, ndërsa protestuesit e organizuar në të gjitha qytetet e vendit, u përplasën me forcat policore.
Presidenti francez Emanuel Macron, u largua sot nga takimi i nivelit te lartë të Bashkimit Europian në Bruksel dhe u kthye në Paris për të marrë pjesë në mbledhjen e dytë të qeverisë për menaxhimin e krizës.
Ai u kërkoi mediave sociale të heqin pamje “të ndjeshme" të trazirave dhe të zbulojnë identitetet e përdoruesve që nxisin dhunën.
Presidenti francez Emanuel Macron dhe kryeministrja Elisabeth Borne marrin pjesë në mbledhjen urgjente të qeverisë pas protestave që kanë përfshirë Francën. 30 qershor, 2023.
Në qytetin jugor të Marsejës, i dyti më i madh në Francë, autoritetet ndaluan zhvilllimin e protestave të planifikuara për këtë të premte .
Ata thanë se i gjithë transporti publik do të ndërpritet që në shtatë të mbrëmjes sipas orës lokale.
Oficeri i policisë i cili qëlloi ndaj adoleshentit po mbahet në paraburgim.