Miratohet qeveria e re e Serbisë që do të përballet me vendime të vështira

SERBIA-GOVERNMENT/

Qeveria e re e Serbisë u miratua të premten në parlamentin serb, rreth gjashtë muaj pas zgjedhjeve që ripërtërinë dominimin e presidentit Aleksandar Vuçiç dhe populistëve të tij të krahut të djathtë.

Në favor të qeverisë së re votuan 157 deputetë në parlamentin 250 vendesh, ndërsa 68 dolën kundër kabinetit të ri.

Qeveria e re, e cila do të udhëhiqet nga bashkëpunëtorja e ngushtë partiake e Aleksandar Vuçiçit, Ana Bërnabiç, që do të shërbejë mandatin e saj të tretë radhazi si kryeministre, do të duhet të përballet me vendimet strategjike që ndodhen para vendit ballkanik.

Këto vendime përfshijnë thirrjet perëndimore që Serbia t'u bashkohet sanksioneve kundër aleatit të saj Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë dhe të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, nëse dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Kabineti i ri ka 28 ministra, përfshirë disa pro-rusë të palëkundshëm siç është ministri i Jashtëm Ivica Daçiç.

Kabineti po ashtu ka zyrtarë që konsiderohen pro-perëndimor, por ata do të drejtojnë ministri më pak të rëndësishme që do të kenë pak zë në vendimet e ardhshme të politikës së jashtme të Serbisë.

Aleksandar Vuçiç, i cili drejton partinë në pushtet SNS (Partia Përparimtare Serbe) dhe që ka ndikim pothuajse të plotë mbi politikat e qeverisë, ka thënë se ka "besim të pakufishëm" në kryeministren Bërnabiç, 47 vjeçe, e cila u bë në vitin 2017 kryeministrja e parë femër dhe pjesëtare e hapur e komunitetit LGBT.

Në fjalimin e saj përurues në parlament, ajo u përpoq të minimizonte pretendimet se qeveria e re është ose pro-ruse ose pro-perëndimore.

Megjithëse pjesa më e madhe e tregtisë së jashtme të saj kryhet me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Serbia është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus dhe ka blerë armë nga Rusia, ndërsa Kina është po ashtu një investitor i madh.

"Serbia do të vazhdojë rrugën e saj evropiane sepse Serbia i përket familjes së vendeve dhe kombeve evropiane," tha Bërnabiç në fjalimin e saj të martën.

Një ish-ultranacionalist antiperëndimor, Aleksandar Vuçiç ka thënë se dëshiron ta udhëheqë Serbinë drejt BE-së, por ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe mban lidhje miqësore me Moskën pavarësisht luftës në Ukrainë.

Përafrimi i politikave të jashtme me ato të BE-së mbetet një nga parakushtet kryesore që Serbia të bashkohet me bllokun 27-vendesh.

Zoti Vuçiç fitoi një mandat tjetër pesë-vjeçar në zgjedhjet presidenciale e parlamentare të muajit prill.

Analistët kanë thënë se presidenti Vuçiç donte të vononte sa më gjatë formimin e një qeverie të re për të shtyrë marrjen e vendimeve të mëdha, që mund të dëmtonin pozitën e tij në mesin e elektoratit të tij kryesisht pro-rus.

Rusia ushtron ndikim të fortë politik në Serbi, e cila konsiderohet aleati më i fortë i Moskës në Evropë.

Në Perëndim ekziston frika se Moska e përdorë Beogradin për të destabilizuar fqinjët në Ballkan, të cilët ende janë duke u rimëkëmbur nga luftërat shkatërruese të viteve të 90-ta.