Tiranë: Plotësimi i vendeve të Gjykatës së Lartë një përparësi kryesore

Plotësimi i vendeve bosh në trupën e Gjykatës së Lartë është një përparësi absolute për KLGJ.

Kështu u shpreh sot Nënkryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Maksim Qoku, duke detajuar se sistemi gjyqësor po përballet me një stok prej mbi 30 mijë procesesh gjyqësore.

Your browser doesn’t support HTML5

Plotësimi i vendeve të Gjykatës së Lartë një përparësi kryesore

KLGJ, sipas tij, u ndesh me një boshllëk të madh në drejtimin e gjykatave, që erdhi prej shkarkimit të kryetarëve gjatë procesit të rivlerësimit.

Aktualisht janë zgjedhur të 37 nënkryetarë në të gjithë gjykatat e vendit.

Ai tha se në korrik shfaqën interes për t’u bërë anëtarë të Gjykatës së Lartë 22 kandidatë, u skualifikuan 14 dhe vazhdojnë garën 8 kandidatë, përzgjedhja përfundon së shpejti dhe do t’i dërgohen presidentit për emërim.

Zoti Qoku i bëri komente sot në një konferencë të Koalicionit Drejtësi për të Gjithë, mbështetur nga Bashkimi Europian, me pjesëmarrjen e organziatës Save the Children dhe Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara.

Ai tha se deri në dhjetor të këtij viti mbaron puna për përgatitjen e një harte të re gjyqësore të Shqipërisë.

Zoti Qoku shtoi se vonesa në zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë na pengoi për të qenë më shumë frytdhënës sa i takon cështjeve disiplinore të gjyqtarëve.

Ndërsa veprimtarë të shoqërisë civile pohuan se mungon vëzhgimi i institucioneve të drejtësisë, nevojitet mbrojtja e grupeve vulnerabël si të miturit, pacientët e spitaleve, pakicat kombëtare, apo grupet si LGBT.

Mirela Bogdani, konsulentja e “Save the Children” për cështjet e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, tha se në kushtet kur gjyktatat janë në vështirësi, nevojtet ndërmjetësimi jashtë sistemit gjyqësor.

Me reformën në sistemin e drejtësisë, KLGJ menaxhon buxhetin e gjykatave, kualifikimin e gjyqtarëve, emërimet e magjistrantëve dhe punonjësve të tjerë.

Nga dhjetori 2018, kur u konstituua, pra në 9 muaj KLGJ ka bërë 35 mbledhje dhe ka marrë 177 vendime, si dhe ka shqyrtuar 183 dosje ankesash të qytetarëve ndaj gjyqtarëve të ndryshëm.