Një lagje me 18 familje të komunitetit rom në periferi të Tiranës ka më shumë se një vit pa ujë të pijshëm.
Në periferi të kryeqytetit banojnë një komunitet rom i konsiderueshëm, i cili jeton në kushte tejet të vështira.
Your browser doesn’t support HTML5
Tiranë: Vështirësitë e komunitetit rom dhe mungesa e fëmijëve në shkolla
Një lagje e tyre kishte një vit pa ujë të pijshëm dhe ndërmarrja e ujësjellësit u shtroi linja të reja, falë interesimit të veprimtarëve, që konstatuan mungesën e fëmijëve në shkolla.
Mungesa e ujit iu kishte paralizuar atyre cdo veprimtari tjetër, nga ushqimi, shëndetësia dhe deri te braktisja e shkollave për të vegjëlit.
“Në këto 18 familje jetojnë 52 fëmijë, të cilët braktisën kopshtet dhe shkollat pikërisht për shkak të mungesës së ujit, ushqimit, higjenës dhe sëmundjeve” - tha Klaudio Pulaha, përfaqësues i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.
Por tani gjendja do të ndryshojë nga bashkëpunimi i shoqërisë civile me ndërmarrjen e ujësjellësit, e cila krahas tubacioneve të reja, do t’u sjellë atyre ujin e pijshëm dy herë në ditë si fillim në mëngjes dhe në mbrëmje, deri sa linja të forcohet për furnizim më të rregullt.
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) zbuloi se mungesa e ujit të pijshëm u vështirësonte jetesën e tyre të përditshme, si edhe ishte bërë burim diskriminimi, sepse fëmijët nuk dilnin dot as në shkollë e as në jetën e zakonshme të lagjes.
Studimet pohojnë se varfëria e romëve është dy herë më e lartë se ajo e popullatës tjetër.
Regjistrimet zyrtare flasin për afro 8 mijë e 500 romë, por vlerësime të pavarura pohojnë se në Shqipëri jetojnë nga 20 mijë deri në 120 mijë romë, me shkollim të ulët dhe papunësi të lartë.