Gjykata Kushtetuese vendos kundër qeramarrësve

Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot ankimin e shoqatës së qeramarrësve për të pezulluar vendimin e qeverisë që i nxjerr ata nga banesat e pronarëve të mëparshëm, deri në një rishqyrtim gjyqësor të gjendjes së tyre dhe propozime për strehim të ri.
http://www.youtube.com/embed/WaZefxreESE
Ashtu si parlamenti më parë edhe Gjykata Kushtetuese konfirmoi sot si të rregullt aktin normativ të qeverisë për t’u kthyer menjëherë banesat pronarëve, pa u dhënë strehim ose zgjidhje të tjera rreth 3 mijë e 400 familjeve që jetojnë prej 40-60 vjetësh në afro 500 ndërtesa që tani po zbrazen nga përmbaruesit ditë për ditë.

Avokati i këtyre banorëve qeraxhinj të pastrehë, Dorian Matlia, pjesëtar i organizatës Res Publica që ofron avokati falas, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të paditet në gjykatën e Strasburgut, sepse shkel disa të drejta njerëzore bazë të mijëra shtetasve, të cilët shteti vetë i strehoi në këto ndërtesa qysh nga mesi i shekullit të kaluar. Sipas avokatit, vonesa e vendimit nga 31 tetori deri sot u dha 3 muaj kohë përmbaruesve që të përparojnë me zbrazjen e objekteve, duke nxjerrë njerëzit jashtë.

Disa nga këta banorë tregojnë se kanë lindur dhe janë plakur në ato shtëpi dhe kurrë shteti nuk u tha se kanë probleme me pronarët, ndërsa fushata e fundit u ka ardhur si rrufe në qiell të hapur dhe ata realisht po mbeten në qiell të hapur pa asnjë strehë mbi kohë.

Shoqata e qeramarrësve thotë se qeveria me aktin normativ ka marrë disa kompetenca parlamentare, parlamenti ka marrë disa kompetenca të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kjo e fundit noterizoi vendimin e qeverisë, pa dhënë as ajo një zgjidhje ku dhe si do të jetojnë mijëra banorë këtej e tutje, ndërsa një fushatë e gjerë përmbaruesish po i nxjerr me shpejtësi nga banesat në mes të dimrit.