Opozita në Tiranë ankimoi në Kolegjin Zgjedhor vendimet e KQZ-së për të pranuar listat e kandidatëve për deputetë, pasi sipas saj, u shkel afati ligjor i përcaktuar në Kodi Zgjedhor.
Partitë e opozitës nuk janë regjistruar si garuese në zgjedhjet e dekretuara të 18 qershorit.
Ato kërkojnë nga Kolegji Zgjedhor të shfuqizojë vendimet e KQZ-së mbi miratimin e listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit dhe t'i çregjistrojë ato.
Sipas opozitës, afati për dorëzimin e listave është data 28 prill dhe jo 29 prill, sepse ato duheshin paraqitur 50 ditë përpara datës së zgjedhjeve të 18 qershorit.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha sot para protestuesve në tendën midis parlamentit dhe kryeministrisë çdo listë e dorëzuar në KQZ është e paligjshme, procesi është në kolaps ligjor.
Kjo është dita e 82 të protestës së opozitës, por nga ana tjetër kjo është dita e dytë e fushatës zgjedhore të Partisë Socialiste.
Opozita pritet të mbledhë një tjetër tubim në fundjavë me përkrahësit e saj nga gjithë vendi, ndërsa socialistët sapo kanë nisur fushatën e tyre dhe po zhvillojnë takime me zgjedhësit.
Partia Socialiste deklaroi se e priti opozitën për bisedime dhe marrëveshje në bisedime me presidentin Nishani dhe me ndërmjetësues ndërkombëtarë.
Drejtues të saj shprehën vendosmërinë që të shkojnë në zgjedhjet e 18 qershorit, që të vazhdojnë reformat ekonomike dhe sociale dhe mbi të gjitha do të kryejnë reformën në drejtësi.
Sipas tyre, PD nuk hyri në këto zgjedhje nga frika e ndarjes me gjyqtarët e korruptuar.
Nga ana tjetër Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta Njerëzore e OSBE-së (ODIHR) hapi dje zyrtarisht misionin e vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit në Shqipëri.
Vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it pohuan se vendimi për të garuar apo jo është vendim politik, por ata erdhën për të monitoruar zgjedhjet dhe jo për të bërë komente mbi zhvillimet politike.
Facebook Forum