Lidhje

Tiranë, Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit


Përkujtohet Holokausti në Shqipëri
Përkujtohet Holokausti në Shqipëri

Në Tiranë u zhvillua sot një ceremoni e posaçme në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Shqipëria përmendet shpesh për shpëtimin e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe sot për luftën kundër anti-semitizmit.

Tiranë, Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:34 0:00

Në fillim të viteve 40 gjatë Luftës së Dytë Botërore, familja hebreje Mandil, ashtu si shumë familje të tjera, erdhi në Tiranë nga Beogradi për t’u shpëtuar përndjekjeve naziste.

Atëherë krutani Refik Veseli, një ndihmës fotograf 17 vjeçar, e priti në dyqan babain e tyre Mosha Mandilin, kur erdhi për të kërkuar ndihmë dhe punë për të jetuar.

Fatmiri, djali i Refikut, përcolli në tubimin e sotëm detaje nga ajo kohë e rrezikshme si për shqiptarët edhe për hebrejtë.

“Situata në Tiranë u përkeqësua, ndaj babai im mendoi që ta merrte këtë familje, bashkë me një familje tjetër hebreje, dhe t’i transferonte në Krujë, meqenëse atje kishte mundësi t’i mbronte dhe t’i mbante. Ashtu vendosën. I veshi ata si krutanë dhe me kafshë transporti i çuan në Krujë, ku qëndruan dy vjet, derisa mbaroi lufta”, tregon Fatmir Veseli.

Refiku rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar familjet hebreje, veprim që ata nuk e harruan kurrë. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore Familja Mandil i kërkuan Refikut të shkonte me ta në Izrael.

Por ai qëndroi në Shqipëri dhe pavarësisht ndarjes dhe mbylljes së vendit, të dy familjet vazhduan miqësinë me letërkëmbime.

Pas rrëzimit të komunizmit në vitet 90, shteti i Izraelit e dekoroi Refik Veselin me titullin Qytetar Nderi midis kombeve, një ndër shqiptarët e parë që shkoi në Izrael dhe u dekorua.

Ndërsa një shkollë në Berlin të Gjermanisë mban emrin e tij, të zgjedhur nga vet nxënësit pasi e dëgjuan historinë e tij në muzeun e Holokaustit.

Historia e tij është vetëm një prej shumë shqiptarëve, që kanë mbrojtur hebrejtë. Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, tha se ajo vet është vajza e një të mbijetuari.

“Lufta tregoi se nuk ka nevojë të jesh një fuqi e madhe që të dëshmosh humanizëm, por edhe një vend si Shqipëria nuk dorëzoi asnjë hebre në duart e nazistëve. Shqiptarët, katolikë, ortodoksë, muslimanë, pavarësisht nga besimi fetar, vendosën të ndjekin vlerat njerëzore dhe shpëtuan hebrejtë”, tha ambasadorja Peleg.

Në tubimin e ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme u theksua se Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë, ku numri i hebrejve pas Luftës së Dytë Botërore ishte më i madh se përpara Luftës, ndërsa aktualisht ajo po luan rol të rëndësishëm në luftën kundër anti-semitizmit, vlerësuan diplomatët.

“Përvoja e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore tregoi se çfarë mund të arrijmë kur mbrojmë vlerat njerëzore përballë racizmit dhe urrejtjes. Shqiptarët ditën të ruajnë vlerat e vërteta njerëzore të popullit tonë. Shqipëria u shndërrua në strehë të sigurtë për hebrejtë. Ajo ishte e vetmja në Europë, ku numri i hebrejve pas luftës pothuajse u njëzetfishua”, tha ministrja Olta Xhaçka.

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit përmendet shpesh besa e shqiptarit, si një institucion i mbrojtjes dhe mikpritjes tradicionale, ndërsa nënvizohen përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër anti-semitizmit dhe edukimin e të rinjve, që të mos harrohen ngjarjet dhe mësimet e historisë.

Shqipëria dhe Izraeli kanë ndërtuar marrëdhënie të mira dypalëshe në ekonomi, kulturë, shkencë dhe siguri.

XS
SM
MD
LG