Lidhje

 
Amerikania Brittney Griner pranon fajësinë për akuzat mbi drogën në Rusi

Amerikania Brittney Griner pranon fajësinë për akuzat mbi drogën në Rusi


Basketbollistja amerikane Brittney Griner pranoi fajësinë të enjten për akuzat e lidhura me drogën në ditën e dytë të gjyqit ndaj saj në Rusi. Nëse shpallet fajtore ajo mund të dënohet me deri në 10 vjet burg.

Pranimi i papritur i fajit nga ana e basketbollistes së ekipit Phoenix Mercury dhe fituese dy herë e medaljes së artë olimpike erdhi mes thirrjeve në rritje ndaj Uashingtonit që të bëjë më shumë për të siguruar lirimin e saj gati pesë muaj pas arrestimit të saj, mes tensioneve në rritje midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë mbi Ukrainën.

Një diplomat i lartë rus tha më herët se Moska nuk mund të merrte asnjë veprim për çështjen e basketbollistes amerikane derisa të mbyllet gjyqi. Pranimi i fajësisë nga ana e saj mund të jetë një përpjekje nga ajo dhe ekipi i saj ligjor për të përshpejtuar procedurat gjyqësore.

31 vjeçarja Griner, u ndalua në aeroportin Sheremetyevo të Moskës ndërsa kthehej për të luajtur basketboll në Rusi dhe policia tha se vaj kanabisi në bagazhin e saj.

Duke folur nëpërmjet një përkthyesi, zonja Griner i tha gjykatës se ajo nuk kishte pasur qëllim të kryente një vepër penale dhe kishte vepruar pa dashje sepse kishte paketuar për në Moskë me nxitim. Gjyqi u shty për më 14 korrik.

Zonja Griner theksoi "se ajo e kishte kryer këtë veprim nga neglizhenca, pa dashje," u tha gazetarëve avokatja e saj, Maria Blagovolina, para gjykatës pranë Moskës pas pranimit të fajit.

"Ne sigurisht shpresojmë në mirëkuptimin e gjykatës," tha zonja Blagovolina. "Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e çështjes, duke marrë parasysh personalitetin e klientes sonë, ne besojmë se pranimi i fajit sigurisht që duhet të merret parasysh."

Ajo shtoi se dëshmitarët e tjerë të mbrojtjes do të merren në pyetje në një seancë të mëvonshme.

Elizabeth Rood, zëvendës shefe e misionit të Ambasadës amerikane në Moskë, u tha gazetarëve pas seancës se ajo foli me zonjën Griner në sallën e gjyqit dhe ndau me të një letër të dërguar nga Presidenti Joe Biden.

"Dëshiroj të theksoj sërish angazhimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara në nivelin më të lartë për të sjellë në shtëpi shëndoshë e mirë zonjën Griner dhe të gjithë qytetarët amerikanë të ndaluar pa të drejtë, si dhe angazhimin e Ambasadës amerikane në Moskë për t'u kujdesur dhe mbrojtur interesat e të gjithë qytetarëve amerikanë të ndaluar ose të burgosur në Rusi", tha diplomatja Rood.

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov reagoi ndaj cilësimit nga Shtetet e Bashkuara të arrestimit të zonjës Griner si "i padrejtë”, duke paralajmëruar se "përpjekjet e palës amerikane për të bërë zhurmë në public nuk ndihmojnë zgjidhjen praktike të çështjeve."

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Biden telefonoi bashkëshorten e zonjës Griner, Cherelle Griner të mërkurën për ta siguruar se ai po bën gjithçka që mundet për të siguruar lirimin e saj sa më shpejt të jetë e mundur.

Uashingtoni nuk ka thënë publikisht se cila është strategjia amerikane për këtë çështje dhe SHBA mund të ketë pak ndikim ndaj Moskës për shkak të armiqësive të forta mbi veprimet e saj në Ukrainë. Departamenti i Shtetit e ka caktuar çështjen e zonjës Griner nën mbikëqyrjen e të dërguarit të posaçëm presidencial për çështjet e pengjeve.

XS
SM
MD
LG