Lidhje

Shqipëri: Dita e parë pa vdekje prej koronavirusit pas dy javësh


Ndërpritet seria e vdekjeve prej koronavirusit pas dy javësh me humbje të përditshme njerëzore. 83 persona kanë humbur jetën nga fillimi i muajit mars. Megjithatë mbeten të larta infektimet ditore dhe shtrimet e reja në spital.

“Situata në Spitalin Infektiv paraqitet serioze. Është rritur numri i të shtruarve dhe rëndohet situata shëndetësore e pacientëve në terarapi intensive. Aktualisht janë të shtruar 84 pacientë në spital, 11 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 6 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rëndë” - tha sot Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Janë kryer 401 testime të reja për COVID-19 dhe janë konfirmuar 82 raste pozitive gjatë 24 orëve të fundit, nga të cilat 30 raste në Tiranë, 11 në Shkodër, 6 në Kukës, 5 në Elbasan dhe më pak në Bulqizë, Krujë, Berat, Malësi e Madhe.

Koronavirusi është i pranishëm edhe në Kavajë, Përmet, në Korçë, Pukë, Mirditë, Kamëz, Gjirokastër, Tepelenë dhe Dibër.

Qytetet më shumë të prekura janë Tirana, Shkodra, Kruja dhe Durrësi, ku gjenden shumica e 1 mijë e 273 të infektuarve aktivë me COVID-19.

Nga rreth 31 mijë teste gjithsej qysh prej muajit shkurt janë zbuluar mbi 3 mijë e 100 persona të infektuar nga koronavirusi.

Ministrja e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, Ogerta Manastirliu, deklaroi në parlament se ndëshkimet do të forcohen për subjektet në zonat turistike, që nuk zbatojnë protokollet e sigurisë.

“Por gjithçka varet nga sjellja individuale, sepse nuk është e mundur që pas çdo subjekti të kemi një inspektor, apo pas çdo personi që është konfirmuar pozitiv, i cili duhet të rrijë i izoluar, të kemi një polic. Kjo duhet të jetë një përpjekje e përbashkët e ndryshimit të sjelljes, për të jetuar në një normalitet të ri”, - tha zonja Manastirliu.

Ajo shtoi se qeveria po punon çdo ditë për ndërprerjen e zinxhirit të infektimit, dhe gjendja është shumë serioze.

“Akoma mes nesh që thonë se s’ka Covid! Po nuk e besoni, shkoni tek infektivi, ku aktualisht 6 persona janë të intubuar, mes tyre tre janë në moshë të re: 45, 46, 49 vjeç. Kjo nuk është lojë. Kush e konsideron lojë apo konspiracion, na rrezikon të gjithëve, Duhet marrë me shumë seriozitet kjo situatë, është shumë serioze”, - tha ministrja Manastirliu.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG