Qindra besimtarë morën pjesë në shërbime fetare në një kishë në Luiziana të dielën, megjithëse ekziston një ndalim për tubime të mëdha, duke zemëruar fqinjët dhe duke i injoruar paralajmërimet e guvernatorit të tyre, se spitalet së shpejti mund të mbingarkohen me raste të reja të koronavirusit.
Rreth 500 njerëz të të gjitha moshave u grumbulluan në Kishën Life Tabernacle në Central, një qytet me rreth 29'000 banorë pranë Baton Rouge.
Gazetarët nuk u lejuan të filmonin në pronën e kishës dhe besimtarëve u ishte kërkuar që të mos flisnin me median.
Ata hynë brenda në kishë pa bërë komente.
Pastori Timothy Spell komentoi shkurtimisht, duke thënë se kisha ka të drejtën e grumbullimit, nuk po detyron askënd të marrë pjesë në shërbesa, nuk po shkel asnjë ligj dhe do të vazhdojë të zhvillojë veprimtarinë e saj.
"Pika e nxehtë është në Nju Orlins, jo këtu. Por, edhe po të ishim në Nju Orlins, përsëri ke të drejtën e grumbullimit, në mënyrë paqësore", tha ai.
Sipas shifrave zyrtare, më shumë se 3.500 banorë të Luizianës janë diagnostikuar me koronavirus, dhe më shumë se 150 prej tyre kanë vdekur.
Joseph Kanter, zyrtar i Departamentit të Shëndetësisë për shtetin e Luizianës tha se nuk ja vlen të vësh jetën në rrezik me këtë virus të paparashikueshëm duke u grumbulluar në kisha.
"COVID është i pabesë. Ne po mësojmë të reja çdo ditë. Ka shumë më tepër pyetje sesa përgjigje. Përse duhet të vësh të dashurit e tu në rrezik?"
Zyrtarët në shtetin e Luizianës po punojnë për të përballuar fluksin e pacientëve të prekur me koronavirus. Nju Orlins është një nga pikat më të nxehta të virusit në Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët thanë se festimet e Mardi Gras, që tërheqin vizitorë nga e gjithë bota, ishin një faktor i përhapjes me shpejtësi të virusit.
Facebook Forum