Lidhje

Kosovë: Reagime e shqetësime për fatin e shtetasve turq të deportuar


Kosovë: Reagime e shqetësime për fatin e shtetasve turq të deportuar
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:59 0:00

Kosovë: Reagime e shqetësime për fatin e shtetasve turq të deportuar

Familjarët e shtetasve turq të arrestuar e deportuar një ditë më parë me kërkesë të Ankarasë për pritën sot për disa orë para dyerve të qeverisë së Kosovës për të kuptuar diçka më shumë për fatin e të afërmve të tyre.

Ata u pritën më pas nga Avni Arifi, shef i kabinetit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili sipas një komunikate të qeverisë, premtoi se do të bëhet çdo gjë që është e mundur për të zbardhur të vërtetën e arrestimit dhe deportimit të tyre. “

Të arrestuarit ishin punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë.

Familjarët dhe avokatët druajnë për fatin e të arrestuarve dhe deri pas takimit në qeveri nuk kishin informacione nëse ata janë deportuar vërtetë apo mbahen diku në Kosovë.

"Në bazë të deklaratave jo zyrtare familjarët kanë kuptuar që ata gjenden ende në Kosovë dhe shpresojmë që në këtë mënyrë do të mund të ndalohet deportimi i tyre për shkak se kemi një brengë shumë të madhe në kahjen që Kosova do të merr për shkak se ata të cilët bashkëpunojnë me shkelësit e të drejtave të njeriut në një mënyrë janë kontribuues në shkeljen e atyre të drejtave”, tha zoti Syla.

Megjithëse ende mbetet e paqartë vend ndodhja e saktë e të arrestuarve, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha të premten se vendi i tij do të vazhdojë ndjekjen e mbështetësve të Fetullah Gulenit, duke konfirmuar deportimin e shtetasve turq nga Kosova. "Së fundmi, agjencia kombëtare e zbulimit, solli gjashtë përfaqësues të lartë të "FETO"-s nga Ballkani në bashkëpunim me agjencinë e zbulimit të Kosovës, dhe ua dorëzuan organeve policore. Ne kemi thënë se ata do të ikin, kurse ne do t'i ndjekim dhe sjellim këtu , kudo që të jenë", tha ai gjatë një tubimi në Ankara.

Organizatat e te drejtave të njeriut dhe njohësit e drejtësisë e kritikaun ashpër operacionin. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për drejtësi, i tha Zërit të Amerikës se deportimi në formën siç ka ndodhur paraqet shkelje të Kushtetutës së Kosovës si dhe të konventave ndërkombëtare për të drejta të njeriut.

“Si duket kur është bërë deportimi i tyre nuk është bërë edhe një analizë lidhur me pasojat eventuale që do t’i kenë në shtetin e origjinës, respektivisht në Turqi. Neni 100 i ligjit për të huajt përcakton në mënyrë taksative se Kosova nuk do të deportojë asnjë shtetas të huaj në vendin e origjinës nëse të njëjtit mund të kenë pasoja diskriminuese, ndaj tyre mund të shqiptohet dënim me vdekje, apo të njëjtin mund të jenë subjekt i torturës, apo veprime të tjera të cilat në njëfarë mënyre do të cenonin dinjitetin njerëzor të tyre. Në rastin konkret siç jemi në dijeni, Turqia nuk shquhet për respektim të të drejtave të njeriut, andaj mendojmë që si shtet kemi dështuar që këtyre shtetasve të huaj në radhë të parë t’u ofrojmë mbrojtje”, tha zoti Miftaraj.

Zoti Miftaraj, thotë se Kosova duhet të nisë hetim të gjithmbarshëm për ta ndriçuar deri në fund këtë rast.

“Për Kosovën ky është pa dyshim një ndër vendimet më kontroverse, vendime të cilat do të kenë ndikim në të ardhmen e Kosovës për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtar. Këshilli i Evropës i promovon pa dyshim liritë dhe të drejtat e njeriut dhe nëse Kosova pretendon në një të ardhme të afërt të anëtarësohet në këtë këshill kjo do të jetë pa dyshim një njollë e zezë”, thotë zoti Miftaraj.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të njeriut në Kosovë, kërkoi përgjegjësi nga të gjithë ata që janë përfshirë në operacion. “Disa individë të papërgjegjshëm, duke rrëmbyer gjashtë shtetas të Turqisë, me leje pune dhe leje për qëndrim të përkohshëm në Kosovë, të gjithë intelektualë të nivelit të lartë, pa të kaluar kriminale, thuhet në një komunikatë të këshillit, e vulosën Kosovën si vendin më antidemokratik në botë, si shkelësin më të madh të të drejtave të njeriut”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG