OSBE nxiti sot bashkësinë e shtypit shqiptar, që krahas vetërregullimit të medias, të punojë edhe për të shmangur lajmet e rreme, shpifjet dhe shkeljet e privatësisë së njerëzve.
Kryetari i Zyrës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, tha sot në Forumin për Zhvillimin e Medias, liria e shtypit është në themel të demokracisë, por nga ana tjetër, media është përgjegjëse për respektimin e standardeve, për cilësinë dhe objektivitetin e raportimeve.
“Lajmet e rreme janë sfida më e re e lirisë së medias. Ato dëmtojnë besueshmërinë e medias, ndaj nevojitet raportim i bazuar në fakte, verifikimi dhe dallimi i qartë midis raportimeve, opinioneve dhe komenteve. Raportimi kritik është themelor për demokracinë, por ai nevojitet të jetë konstruktiv, me fakte e argumente dhe pa sulmet personale. Raportimet e pafaktuara mund të përfundojnë në padi për shpifje dhe çështjet gjyqësore mund të ndikojnë negativisht në gjendjen e lirisë së medias, duke çuar në vetëcensurim” - tha ambasadori Borchardt.
Këtë herë, mes përfaqësuesve të shumë organizatave dhe mediave, mori pjesë edhe kryetarja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, e cila tha se ndërkombëtarët janë gati të ndihmojnë median të përmirësojë rolin dhe pozitën e saj në demokracinë shqiptare.
“Vetërregullimi i gjendjes prej shoqatave të gazetarëve shqiptarë dhe BE është gati t’i ndihmojë ato në këtë proces. Nga ana tjetër autoritetet shqiptare duhet të lehtësojnë marrjen e informacionit, sidomos me prokurimet dhe kontratat dhe gjithcka që lidhet me paratë dhe financat publike” - tha ambsadorja Vlahutin.
Kryetarja e Komisionit parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Albana Vokshi, foli për sfidat e përditshme të mediave shqiptare, dhe reagimet e saj përballë presioneve politike dhe propagandës.
Vetërregullimi i bashkësisë së mediave u vlerësua si pengesa më e mirë kundër ndërhyrjeve nga autoritetet dhe ruajtjen e vlerave etike e qytetare të gazetarisë shqiptare.
Forumi i tretë për Zhvillimin e Medias është një tryezë e rrumbullakët, ku OSBE synon të lehtësojë dialogun profesional mbi problemet më të rëndësishme të medias shqiptare.
Facebook Forum